Qendra e Shëndetit Publik – Shkup: Mbeturinat urbane po rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve

Qendra e Shëndetit Publik – Shkup ka ngritur alarmin për gjendjen shqetësuese të menaxhimit të mbeturinave urbane në kryeqytet, duke paralajmëruar rrezik të madh për përhapjen e sëmundjeve infektive.
Sipas kumtesës zyrtare, kohët e fundit është vërejtur një neglizhencë e theksuar në grumbullimin me kohë të mbeturinave, veçanërisht në lagjet më të dendura. Temperaturat e larta dhe mbeturinat e pamenaxhuara po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e sëmundjeve si: kolera, hepatiti A, malaria dhe tifoja.
“Përvoja ndërkombëtare ka treguar se mungesa e higjienës dhe shërbimeve të rregullta të grumbullimit të mbeturinave janë ndër faktorët kryesorë që nxisin shpërthime epidemike,” thuhet mes tjerash në kumtesë.
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup;
Qendra e Shëndetit Publik – Shkup shpreh shqetësim serioz për gjendjen alarmante të menaxhimit të mbeturinave urbane në qytetin tonë. Kohët e fundit është vërejtur një neglizhencë e theksuar në grumbullimin në kohë të mbeturinave, veçanërisht në lagjet urbane më të dendura. Kombinimi i këtij neglizhimi me temperaturat jashtëzakonisht të larta krijon kushte të favorshme për përhapjen e epidemive të rrezikshme dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik të qytetarëve.
Praktikat e dobëta të menaxhimit të mbeturinave janë të lidhura drejtpërdrejt me shpërthimin e sëmundjeve infektive si kolera, malaria, hepatiti A dhe tifoja. Përvojat ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet me sfida të ngjashme në Afrikë dhe Azi, kanë dëshmuar se mungesa e shërbimeve të rregullta të grumbullimit të mbeturinave dhe mungesa e vetëdijes qytetare për pasojat higjieno-sanitare, janë ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në përhapjen masive të këtyre sëmundjeve.
Bazuar në evidencat shkencore dhe praktikat më të mira të shëndetit publik, Qendra e Shëndetit Publik – Shkup rekomandon urgjentisht:
Rritjen e frekuencës së grumbullimit të mbeturinave nga ndërmarrja “Higjiena Komunale – Shkup”, me theks të veçantë në zonat urbane me popullsi të dendur.
Zbatimin e fushatave të gjera të ndërgjegjësimit publik për rreziqet që paraqet hedhja e pakontrolluar e mbeturinave.
Mbështetjen e nismave të komunitetit për menaxhim aktiv të mbeturinave, duke ofruar kosha, qese të posaçme dhe mjete të tjera higjienike të subvencionuara.
Thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet komunave, ndërmarrjeve publike, organizatave joqeveritare dhe vetë komunitetit për të garantuar zbatim të qëndrueshëm të masave parandaluese.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të menjëhershme Inspektoratit për Mjedisin Jetësor, Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe inspektorateve të tjera kompetente, që të veprojnë me vendosmëri dhe pa vonesë për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj krize.
Çdo vonesë në reagim mund të sjellë pasoja të parikuperueshme për shëndetin publik në Shkup. Kujdesi për higjienën urbane nuk është vetëm detyrë institucionale, por obligim ndaj jetës dhe mirëqenies së çdo qytetari.