Me rastin e përmbylljes të Ushtrimit Fushor “Defender Europe 25” Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Shqipëri.
Jashari u prit nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH), Arben Kingji i cili e njoftoi për rrjedhën e ushtrimit dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet FARSH dhe njësive të FSK-së të angazhuar në kuadër të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë kësaj vizite, sipas një njoftimi nga ana e FSK-së thuhet se Jashari vizitoi trupat e kontingjentin të FSK të angazhuar në Republikën e Shqipërisë, i përbërë nga Togu i Mortajave, vlerësuesit dhe oficerët shtabor në kuadër të komandës së brigadës, ku u njoh nga afër me zhvillimet e aktiviteteve të përbashkëta dhe arritjet gjatë këtij ushtrimi.
“Ai përgëzoi pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre gjatë kësaj kohe, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së FSK-së në një ushtrim të nivelit të DE25, si dhe ngritjen e aftësive të njësive të FSK që të operojnë në një mjedis shumëkombësh operacional”, thuhet në njoftim.
Sipas agjendës, personalitetet e larta kanë ndjekur demonstrimin e aktiviteteve të planifikuara në poligonin trajnues të Biza. Forcat e FARSH, Ushtrisë Amerikane, FSK, Maqedoni e Veriut dhe Kroaci të angazhuara në këtë ushtrim shfaqën një performancë të dalluar gjatë ekzekutimit të aktiviteteve të planifikuara, të cilat kanë përfshirë edhe qitjen me mortaja nga Togu i mortajave te KFT-së.
“Dislokimi i njësive të FSK-së në brigada të ndryshme të rajonit në ushtrime fushore të këtij niveli, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të ndërveprueshmërisë me aleatët dhe partnerët dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve operacionale të FSK-së të operojë në mjedise shumëkombëshe”.