Zyrtarët e Kremlinit u kanë kërkuar deputetëve të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, që të përgatiten për shpalljen e „fitores“ në Ukrainë dhe kthimin e ushtarëve nga fronti.

Kjo temë është diskutuar në një seminar për deputetët e Dumës Shtetërore, të mbajtur më 13 dhe 14 nëntor në qendrën e trajnimit „Senezh“, pranë Moskës. Në takim ka marrë pjesë edhe Sergej Kirijenko, zëvendësshef i parë i administratës presidenciale ruse.

„U tha se të gjithë duhet të jenë të përgatitur për fitoren, për momentin kur pjesëmarrësit në luftime do të kthehen njëkohësisht nga operacioni special ushtarak“, ka deklaruar një burim për gazetën ruse „Vedomosti“.

Deputetëve u është bërë gjithashtu e qartë se duhet të vazhdojnë punën në kushte lufte dhe se nuk duhet të presin pushime apo jetë të shkujdesur përderisa vazhdojnë operacionet ushtarake.

Kremlini përgatit terrenin për ta paraqitur përfundimin e luftës si fitore

Qendra hulumtuese „Dossier“ kishte raportuar më herët se administrata presidenciale ruse po përgatit mesazhe propagandistike për ta paraqitur një marrëveshje të mundshme paqeje si fitore, pavarësisht humbjeve të mëdha dhe mungesës së rezultateve të rëndësishme pas gati pesë vitesh luftë.

Sipas kësaj strategjie, marrja nën kontroll e Donbasit do të paraqitej si objektivi kryesor i luftës, ndërsa vrasja e ushtarëve ukrainas do të interpretohej si përmbushje e pretendimit rus për „denazifikimin“ e Ukrainës.

Një tjetër synim i propagandës do të ishte bindja e opinionit publik rus se pushtimi i Kievit nuk ka qenë asnjëherë pjesë e planeve reale të Kremlinit.

Kërkesat ruse në negociatat me Ukrainën

Negociatat e fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin amerikan, janë zhvilluar më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.

Sipas raportimeve mediatike, Moska ka paraqitur kërkesa maksimaliste, përfshirë kthimin e NATO-s në kufijtë e vitit 1997 dhe shndërrimin e Moldavisë në republikë federale.

Pas negociatave, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinski, deklaroi se Rusia do të rikthejë „çdo pëllëmbë“ të territorit që e konsideron të vetin në Ukrainë. Ai theksoi se do të jetë i kënaqur vetëm kur Rusia të fitojë dhe të nënshkruajë marrëveshje paqeje sipas kushteve të saj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume