Temperaturat e larta po bëhen vetëm një nga problemet për qytetarët e Shkupit, të cilët çdo ditë përballen me mungesën dramatike të autobusëve publikë. Pritjet e gjata në stacione janë bërë norma, ndërsa shumica detyrohen të paguajnë taksi për të arritur në punë, duke shpenzuar një pjesë të madhe të pagës së tyre minimale.
Në vend që të zgjidhen problemet me transportin publik, autoritetet duken të pafuqishme ose të pandërgjegjshme. Borxhi i papaguar prej mbi 150 milion denarësh ndaj kompanive private ka çuar në reduktimin e linjave, ndërsa qytetarët mbeten peng i një sistemi që nuk funksionon.
Nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk ka asnjë përgjigje konkrete për situatën, duke i lënë qytetarët në mëshirë të fatit. Kjo është një shfaqje e qartë e dështimit institucional dhe mungesës së përgjegjësisë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të vuajnë për shkak të keqmenaxhimit.
Është koha që autoritetet të marrin masa urgjente dhe të ndalin këtë zullum, përndryshe qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e keqqeverisjes.