Zv.kryeministri Arben Fetai i është përgjigjur deputetit Halil Snopçe pas akuzave të rënda në drejtim të tij dhe ministrit të ri të Shëndetësisë, Azir Aliu.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Fetait.

Azir Aliu dhe unë jemi aty ku kemi qenë gjithmonë: në antipod të BDI-së, në Aleancën për Shqiptarët. Ndërsa ti, Halil, ke përfunduar në prehrin e BDI-së, duke zënë vend mes partisë që e luftuam bashkë një dekadë dhe Levicës që mohon gjithçka shqiptare.
Dhe nga aty, me një cinizëm që vetëm një mendje e shitur mund ta prodhojë, lëshon vrer kundër shokëve, herë si ekspert frutash, duke i quajtur Mimozën dhe Yllkën “të kalbura”, herë duke trilluar lidhje të Azirit, ish-kolegut shumëvjeçar, me VMRO-në, herë duke më akuzuar mua për përçarje, ndërkohë që unë çdo javë jam në kontakt me Vetëvendosjen dhe autoritetet e Kosovës, ndërsa ti Halil, u ke ikur. Ti i ke shmangur takimet me ta, sepse tashmë je servilosur te kundërshtari, je tjetërsuar si njeri e si politikan, dhe nuk e ke asnjë arsyetim racional, as për vetën tënde.
Kush e paskësh pasur maskën, Halil? Ne që i qëndruam besës që i dhamë votuesit tonë, apo ti që parashikoje me zë të sigurt “rënien e qeverisë për një javë” pas ikjes suaj te BDI-ja? Si po të shkon matematika e komunave, Halil? Sa komuna po ju jep Aliu dhe si po të del tash “interesi i partisë” Halil? Nuk po del llogaria, apo jo? Do ta humbni edhe Gostivarin, Halil. Dhe ti e di këtë. Prandaj e ke humbur edhe kontrollin edhe njerëzillëkun.