Biznesmeni Risto Krmzov dërgohet në paraburgim: Dyshohet për mashtrim prej 94 milionë eurosh ndaj shtetit

Vane Andreev, mbrojtës i biznesmenit Risto Krmzov, për “Skopje1” konfirmoi se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai do të dërgohet nga Gjykata Penale në burgun hetues “Shkup” në Shutkë. Masa është caktuar për shkak të rrezikut për arratisje, ndikimit mbi dëshmitarët dhe mundësisë për përsëritje të veprës.
Sipas hetimeve, në vitin 2019 tre organizatorë kanë krijuar një rrjet në të cilin ishin të përfshirë menaxherë, inspektorë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe kontabilistë. Ata, përmes kompanive nën kontrollin e tyre të drejtpërdrejtë ose të fshehtë, kanë lëshuar fatura të rreme dhe kanë paraqitur qarkullim fiktiv.
Me këtë veprimtari, të raportuarit kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 94 milionë euro, duke i shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë buxhetit të shtetit.