Tym pas një shpërthimi në Tehran, Iran, të premten në mëngjes, 13 qershor, 2025. Izraeli sulmoi kryeqytetin iranian herët të premten. Foto: AP
08:42 – Izraelitët furnizohen me ushqime dhe ujë pasi sulmuan Iranin
Në Jerusalem, raftet e supermarketeve po shterohen me shpejtësi nga njerëzit që po grumbullojnë ushqime dhe ujë.
Pjesa më e madhe e vendit u zgjua rreth orës 03:00 këtë mëngjes me një shpërthim sirenash dhe një alarm telefonik që paralajmëronte për një “kërcënim” – me njerëzit që u udhëzuan të qëndronin afër strehëve, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Shërbimet e emergjencës së Izraelit thonë se po mobilizojnë shërbimet e gjakut në të gjithë vendin, ndërsa disa spitale thonë se po lirojnë pacientët që janë mjaftueshëm mirë për të shkuar në shtëpi.
Në Bregun Perëndimor, janë vendosur bllokada në të gjitha qytetet palestineze deri në njoftim të mëtejshëm.
E gjithë kjo është në përgatitje për hakmarrje – me paralajmërimin e ushtrisë izraelite se 100 dronë iranianë janë në rrugën e tyre drejt Izraelit.
07:34 – Si reagoi bota për sulmet izraelite në Iran?
Vende anembanë botës po reagojnë për sulmet izraelite ndaj Iranit, me disa që shprehin alarm dhe të tjerë që e kritikojnë këtë veprim.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i ka kërkuar Iranit dhe Izraelit të “tërhiqen dhe të ulin tensionet urgjentisht”, duke i quajtur sulmet “shqetësuese”. “Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon”, thotë ai.
“Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerë për të ulur tensionin. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci.”
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi fuqishëm këtë sulm duke thënë se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën në vend “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe të rrisin masat e tyre të sigurisë, duke përfshirë shmangien e zonave të ndjeshme ose të mbushura me njerëz.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se Amerika nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit, duke shtuar në një deklaratë se “prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se Canberra ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi midis Izraelit dhe Iranit”. Ajo i bëri thirrje të gjitha palëve të prioritizojnë dialogun dhe diplomacinë.
Sakaq kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, në mënyrë të ngjashme i quajti sulmet “një zhvillim të padëshiruar në Lindjen e Mesme”, duke paralajmëruar se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”. Negociatat bërthamore SHBA-Iran që ishin planifikuar të dielën në Oman shihen si “rruga më e mirë përpara”, tha Luxon – megjithëse tani nuk është e qartë nëse bisedimet do të vazhdojnë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënoi çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, tha një zëdhënës i shefit të OKB-së në një deklaratë të raportuar nga Reuters. Guterres u bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet në vendet bërthamore”, dhe i bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin. Ai tha se India kishte marrëdhënie “të ngushta dhe miqësore” si me Izraelin ashtu edhe me Iranin. /klankosova.tv
07:34 – Irani i kundërpërgjigjet Izraelit me 100 dronë
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, thotë se Irani nisi “rreth 100 dronë drejt territorit izraelit”, të cilët ai thotë se po punojnë për t’i kapur.
Defrin shton se shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, komandanti i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit dhe komandanti i komandës së emergjencës së Iranit u vranë në sulmet e së premtes, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
07:17 – Sulmohet pika kryesore bërthamore në Iran
Kreu i agjencisë globale mbikëqyrëse bërthamore ka konfirmuar se vendi kryesor i pasurimit bërthamor të Iranit në Natanz u godit nga sulmet izraelite në orët e para të së premtes.
Në një postim në X, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po “monitoronte nga afër situatën thellësisht shqetësuese në Iran”, shkruan BBC, transmeton Klanksova.tv.
Agjencia tha se ishte në kontakt me autoritetet iraniane në lidhje me nivelet e rrezatimit në vend, si dhe me inspektorët e saj në Iran.
07:12 – Vritet edhe shefi i Forcave të Armatosura të Iranit
Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, është vrarë si pasojë e sulmeve izraelite, raportojnë mediat shtetërore, shkruan BBC.
Ai iu bashkua Gardës Revolucionare në vitin 1980 përpara se të ngjitej në radhët e tij për t’u bërë një nga udhëheqësit më të rëndësishëm ushtarakë të vendit.
Mediat shtetërore iraniane kanë bërë të ditur se edhe kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë pas një sulmi ajror nga Izraeli, transmeton Klankosova.tv.
06:57 – Trumpi ishte në dijeni që Izraeli do ta sulmonte Iranin: SHBA-të nuk janë të përfshira
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka folur me Fox News në lidhje me sulmet izraelite në Iran.
Ai tha se ishte në dijeni të planeve të Izraelit paraprakisht, por e bëri të qartë se ushtria amerikane nuk luajti asnjë rol në operacion. Ai përsëriti se shpreson që Irani të vazhdojë negociatat me SHBA-në për të frenuar programin e saj bërthamor, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Ka disa njerëz në udhëheqje që nuk do të kthehen,” tha ai ndër të tjera, duke vënë në dukje se SHBA-të kanë konfirmuar se shumë udhëheqës iranianë kanë vdekur në sulm.
Ai tha se administrata e tij kontaktoi një aleat kyç të Lindjes së Mesme para sulmit për t’i informuar ata.
05:37 Udhëheqësi suprem i Iranit: Izraeli do të përballet me ndëshkim të ashpër – i përgatiti vetes fat të dhimbshëm
Lider suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se Izraeli do të përballet me një “ndëshkim të ashpër” për sulmet e së premtes.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, Khamenei konfirmoi se një numër komandantësh dhe shkencëtarësh janë vrarë gjatë sulmeve që Izraeli ka deklaruar se kishin në shënjestër objektiva bërthamore.
“Regjimi izraelit ka kryer një krim në agim. Ky regjim duhet të presë një ndëshkim të ashpër”.
“Gjatë sulmeve të armikut, një numër komandantësh dhe shkencëtarësh u vranë. Pasardhësit dhe kolegët e tyre do të vazhdojnë menjëherë detyrat e tyre, me ndihmën e Zotit, pa asnjë ndërprerje”, tha Khamenei, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai paralajmëroi Izraelin se me sulmin e së premtes, i ka “përgatitur etes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm – dhe me siguri do ta marrë atë”.
05:25 – Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli u bën thirrje qytetarëve të strehohen në mënyrën më të mirë
Pasi sulmoi Iranin, Irzareli u ka bërë thirrje qytetarët e tij që të streohehen në “mënyrën më të mirë të mundshme”.
Kjo thirrje nga shteti izraelit vjen në pritje të një kundërpërgjigjeje nga Irani, pas sulmeve të kryera në orët e para të së premtes.
“Është thelbësore që të strehoheni në mënyrën më të sigurt të mundshme, qoftë në shtëpitë tuaja apo në hapësira publike – preferohet një dhomë e sigurt apo hapësirë e mbrojtur e miratuar nga Komanda e Forcave të Brendshme. Nëse nuk ka hapësira të mbrojtura pranë jush, duhet të futeni në shkallë ose në një bodrum”, thuhet në thirrjen e shtetit izraelit drejtuar qytetarëve, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Izraeli ka sulmuar Iranin, duke shënjestruar programin bërthamor dhe drejtues të lartë ushtarakë, në një operacion që, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, do të zgjasë për shumë ditë.
04:56 – Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli thërret mijëra ushtarë: Jemi në pikë pa kthim
Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli ka thirrur mijëra ushtarë për t’u përgatitur pët atë “që vjen më pas”.
Kështu ka deklaruar shefi i Shatbit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Gjeneral Eyal Zamir, teksa shta se “jemi në pikë pa kthim”.
“E kemi nisur këtë operacion sepse ka ardhur koha, jemi në pikë pa kthim. Nuk mund të përballojmë të presim një rast tjetër për të vepruar, nuk kemi zgjidhje tjetër”.
“Ngjarjet e fundit dhe të së kaluarës na kanë mësuar se kur armiku përpiqet të na shkatërrojë, nuk duhet të mbyllim sytë. Duhet të luftojmë për ekzistencën tonë; liria u jepet atyre që janë të gatshëm të luftojnë për të”, tha Zamir, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se Izraeli është “duke thirrur dhjetëra mijëra ushtarë dhe është përgatitur në të gjitha kufijtë”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë për disa ditë, e të cilat i quajti si sulme ndaj “objektivave bërthamore”.
Në anën tjetër, Irani ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke mbyllur shkollat, ndaluar tubimet teksa tha se po përgatitet për kundërpërgjigje.
04:38 – Sulmet izraelite, vritet kreu i Gardës Revolucionare të Iranit
Mediat shtetërore iraniane kanë bërë të ditur se kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë pas një sulmi ajror nga Izraeli.
Siç shkruan CNN, i vrarë ka mbetur edhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereydoon Abasi, transmeton Klankosova.tv.
Salami ishte një nga liderët më të lartë të Iranit, teksa një zyrtar izraelit ka thënë se sulmet kishin objektin “programin bërthamor të Iranit dhe objektiva të tjera ushtarake”.
04:18 – Qeveria izraelite: Sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë edhe ditëve tjera
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka goditur objektivat bërthamore në Iran, duke bërë të ditur se oeracioni do të vazhdojë për shumë ditë.
“Çaste më parë, Izraeli nisi operacionin Rising Lion, një operacion ushtarak i synuar për të zbrapsur kërcënimin iranian për vetë mbijetesën e Izraelit”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa duhet për të hequr këtë kërcënim”, tha i pari i qeverisë izraelite.
Sipas tij, Irani kishte një program për të zhvilluar armë bërthamore, duke paraqitur një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vetë mbijetesën e Izraelit.
“Ne goditëm në krye të programit të armatimit bërthamor të Iranit.”
Netanyahu shtoi se me anë të këtij operacioni, duke mbrojtur veten, Izraeli gjithashtu mbron edhe të tjerët, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv
“Ne mbrojmë fqinjët tanë arabë. Ata gjithashtu kanë vuajtur nga fushata e kaosit dhe masakrës së Iranit”, deklaroi kryeqeveritari izraelit.
Nga ana tjetër, Qeveria e Iranit nuk ka komentuar ende për sulmet
03:51 – Sulmi izraelit mbi Tehran, SHBA: Ne nuk jemi të përfshirë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar involvimin në sulmet izraelite mbi Iranin.
“Nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë të SHBA-së në sulmet e kryera nga Izraeli në Iran”, deklaroi ekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në këto sulme dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon,” tha ai në një deklaratë.
“Izraeli na këshilloi se ata besojnë që ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtje të tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur forcat tona dhe për të qëndruar në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë, u shpreh Rubio, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv
“Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat apo personelin e SHBA”, shtoi ai.
03:36 – Izraeli sulmon Iranin
Izraeli ka filluar sulmet kundër Iranit.
Burimet e mediumit prestigjioz amerikan CNN, bëjnë me dije se një zyrtar i lartë izraelit i ka konfirmuar këto bombardime, duke bërë të ditur se ky “sulm parandalues” është i saktë, i kombinuar mirë në drejtim të dhjetëra objektivave iraniane.
Nga ana tjetër, Shtete e Bashkuara të Amerikës përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, u deklaruan lidhur me këtë realitet të ri global, duke mohuar të jenë të përfshirë.
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në këto sulme dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, tha ai në një deklaratë, transmeton Klankosova.tv.
E kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri të ditur se nuk bëhet fjalë vetëm për sulme një ditore, por ato sipas tij do të zgjasin.