Izraeli ndërmori një sulm të paprecedentë ndaj Iranit herët në mëngjesin e së premtes, duke goditur zemrën e programit bërthamor të vendit dhe udhëheqës të lartë ushtarakë.
Irani nisi hakmarrjen pak pas sulmit, duke ngritur sërish shqetësimet për përshkallëzimin e mundshëm të një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa shtetet në mbarë botën i bëjnë thirrje të dy palëve të shmangin përshkallëzimin, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ja çfarë dihet deri tani:
Sulmi: Izraeli përdori 200 avionë luftarakë, duke hedhur mbi 330 municione të ndryshme dhe duke goditur mbi 100 objektiva në të gjithë Iranin, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). Sipas IDF, sulmi është ende në vazhdim – një burim ushtarak i tha më herët CNN-it: “Ky nuk është një sulm njëditor”.
Objektivat: Sipas një burimi të sigurisë izraelite, sulmi kishte në shënjestër udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë. Ndër objektivat ishte edhe objekti më i madh për pasurimin e uraniumit në Iran – kompleksi bërthamor i Natanzit – por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, nuk është regjistruar rritje e niveleve të rrezatimit.
Komandantë të vrarë: Gjatë goditjeve u vranë disa prej komandantëve më të lartë iranianë, përfshirë gjeneralin Hossein Salami, komandantin e fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike; gjeneral-majorin Mohammad Bagheri, ushtaraku më i lartë në Iran; si dhe ish-shefin e sigurisë kombëtare, Ali Shamkhani.
Hakmarrja e Iranit: Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar mbi 100 dronë drejt territorit izraelit, sipas IDF. Mbrojtja ajrore izraelite është vënë në punë për të ndaluar ata.
Qëndrimi i ShBA-së: Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ShBA-ja nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë në këto sulme. Para sulmit, presidenti Donald Trump tha se nuk dëshironte që Izraeli të godiste Iranin, ndërkohë që negociatat për marrëveshjen bërthamore janë ende në zhvillim.
Gjendja e jashtëzakonshme: Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – janë mbyllur shkollat, janë ndaluar grumbullimet publike dhe është dhënë këshilla për të shmangur punët jo thelbësore. Spitalet izraelite janë urdhëruar të ndalojnë aktivitetet ambulatore dhe ato jo urgjente, duke u zhvendosur në zona të mbrojtura. Ndërkohë, ushtria po thërret me dhjetëra mijëra rezervistë për t’u përgatitur për hapat e ardhshëm.
Mbyllja e hapësirës ajrore: Izraeli, Irani dhe Jordania kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore. Aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është mbyllur për nisje dhe ulje.
Reagimet globale: Shtete si Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Britania, Australia dhe Zelanda e Re kanë shprehur shqetësim – disa prej tyre kanë kritikuar sulmin izraelit si përshkallëzues. Shumica i bëjnë thirrje të dy vendeve që të shmangin përshkallëzimin dhe të ruajnë stabilitetin në rajon.
Alarmi i sigurisë nga ShBA: ShBA-ja ka lëshuar një alarm sigurie, duke i udhëzuar të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane në Izrael dhe familjet e tyre që të qëndrojnë të strehuar. Gjithashtu, u është bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Izrael të marrin masa paraprake dhe të njohin vendndodhjen e strehave më të afërta për raste sulmesh të mundshme.