Ish-deputeti Halit Valteri është thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Plarent Dervishit dhe Julian Meces, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit 2019 pranë Shkozetit në Durrës, ku mbetën të plagosur Ndoja dhe shoferi i tij Andi Maloku (i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë). Ish-prokurori Ndoja shoqërohej në makinë edhe me Aleksandër Laho, apo i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Valteri, në kohën kur ndodhi atentati, bëri disa deklarata publike, si dhe publikoi pamje që, sipas tij, nxirrnin në pah detaje të rëndësishme për hetimin e atentatit.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Videon, ish-deputeti e publikoi fillimisht në seancën plenare në parlament më 18 qershor 2020, teksa ua prezantoi deputetëve me anë të një tablete dhe tha se pamjet e plota i ka dërguar në polici.

Në pamje, Valteri tha se duken qartazi dy autorë të angazhuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

Në atë seancë plenare, Valteri replikoi me ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kryeministrin Edi Rama.