Temperaturat e verës kërkojnë vëmendje të veçantë, veçanërisht kur bëhet fjalë për foshnjat

Me ardhjen e ditëve të nxehta, shumë prindër përballen me dilemën: si ta veshin siç duhet foshnjën që të mos ketë as shumë ftohtë dhe as shumë vapë?

Të shtyrë nga frika se mos fëmija ftohet, shumë prindër, veçanërisht nëna, pa vetëdije bëjnë gabimin e mbiveshjes me shtresa. Kjo ndodh shpesh duke harruar faktin se edhe foshnjat janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, ndoshta edhe më shumë se të rriturit.

Rreziqet nga mbiveshja

Veshja e tepërt mund të shkaktojë skuqje dhe irritime të lëkurës, veçanërisht në zona si palosjet, ijët, sqetullat dhe qafa. Njollat e kuqe apo lëkura e skuqur janë shenja që foshnja ka nevojë për më shumë freski.

Është e rëndësishme që foshnja të lahet dhe pastrohet rregullisht, por të shmangen kremrat me bazë vaji dhe pudrat me talk, pasi mund të bllokojnë poret dhe ta pengojnë lëkurën të marrë frymë.

Si ta veshim foshnjën në ditët e nxehta?

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

▪ Rrobat verore duhet të jenë të lehta, me ngjyra të çelëta dhe prej pambuku – materiali më i përshtatshëm sepse thith djersën dhe lejon lëkurën të marrë frymë.
▪ Shmangni materialet sintetike dhe të trasha, sidomos në bartëse dhe shamia gjatë verës, sepse rrisin temperaturën e trupit të foshnjës.
▪ Nëse temperatura tejkalon 30°C, foshnja mund të qëndrojë zbathur dhe pa mbulesa shtesë gjatë shëtitjeve.

Si e kontrollojmë nëse ka vapë apo ftohtë?

Prindërit shpesh shqetësohen kur foshnja ka duar apo këmbë të ftohta, por ky nuk është tregues i saktë i temperaturës së trupit. Kontrolloni më mirë hundën dhe pjesën e pasme të qafës ose sqetullat nëse janë të djersitura, foshnja ka vapë.

Mos e mbuloni karrocën

Një nga gabimet më të shpeshta është mbulimi i karrocës me pelena për ta mbrojtur foshnjën nga dielli. Kjo e pengon qarkullimin e ajrit dhe mund të shkaktojë mbinxehje. Zgjidhja më e mirë është përdorimi i një ombrelle për karrocë që e mbron nga rrezet, por lejon ajrin të qarkullojë lirshëm.

Temperatura në ambientet e brendshme

Foshnjat ndihen rehat në dhoma me temperaturë të freskët mesatare, por jo më pak se 22°C. Kujdes edhe me kondicionerët – nuk duhet të drejtohen kurrë direkt nga foshnja. Freskoni dhomën kur ajo nuk është brenda dhe sigurohuni që ndryshimi i temperaturës nga brenda në jashtë të mos jetë më shumë se 3-4°C.