Agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, ka zbuluar pamje që pretendohet se tregojnë operativët e saj duke ndërmarrë veprime kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe lëshuesve të raketave balistike të Iranit.

Sipas Al Jazeera-s sulmi i Izraelit ndaj objektivave bërthamore të Iranit, u bë i mundur falë koordinimit me agjentët e Mossad në Iran, të cilët neutralizuan sistemin anti-raketor të Republikës Islamike.

Sipas gazetës The Times of Israel, e cila citon një zyrtar të lartë izraelit, Mossad ka ndërtuar një bazë të fshehtë brenda territorit iranian, e specializuar për përdorimin e dronëve shpërthyes. Këta dronë, thuhet se u përdorën për të goditur lëshues të raketave balistike në një bazë pranë kryeqytetit Teheran, me qëllim që të pengonin lëshimin e predhave ndaj ofensivës izraelite.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Sipas të njëjtave burime, automjete që transportonin pajisje dhe sisteme armësh janë futur kontrabandë në Iran përmes rrugëve sekrete dhe janë përdorur për të shkatërruar sisteme kyçe të mbrojtjes ajrore iraniane. Kjo, sipas zyrtarëve izraelitë, u ka dhënë avionëve izraelitë epërsi ajrore dhe liri veprimi mbi hapësirën ajrore të Iranit gjatë sulmeve të ndërmarra.

Më tej, zyrtari izraelit tha se komandot e Mossad-it kanë vendosur raketa precize në afërsi të pozicioneve kundërajrore në pjesën qendrore të Iranit, si pjesë e një operacioni të koordinuar në terren për të paralizuar kapacitetin mbrojtës të Teheranit.

Pamjet e publikuara, të cilat pretendohet të tregojnë operativët e Mossad-it në veprim, janë ndarë gjithashtu nga The Times of Israel. Megjithatë, autenticiteti i këtyre pamjeve nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për këto pretendime.