Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti këtë të premte një fjalim drejtuar kombit, ku njoftoi nisjen e operacionit ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Iranit, duke deklaruar se objektivi kryesor janë objektet bërthamore të Teheranit. Netanyahu e cilësoi këtë si një moment vendimtar për sigurinë e Izraelit dhe të popullit hebre.
– Advertisement –
“Jemi në një moment vendimtar në historinë e Izraelit,” deklaroi Netanyahu, teksa konfirmoi nisjen e operacionit të titulluar “Zgjimi i Luanit”.
Sipas tij, ofensiva e drejtpërdrejtë bëhetpër të zmbrapsur “kërcënimin iranian ndaj vetë mbijetesës së shtetit hebre”.
Fjalimi i Netanyahu-t mbante një ton të fortë historik. Ai risolli kujtimet e Holokaustit për të justifikuar vendimin për veprim ushtarak.
“Pothuajse një shekull më parë, përballë nazistëve, një brez udhëheqësish dështoi të vepronte në kohë. Politika e qetësimit çoi në vdekjen e 6 milionë hebrenjve, një të tretën e popullit tim,” tha ai.
“Sot, nuk do të ketë më kurrë. Izraeli ka treguar se ka nxjerrë mësimet e historisë,” theksoi Netanyahu.
Netanyahu sqaroi se sulmet kanë në shënjestër objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike, si dhe shkencëtarët dhe komandantët që sipas Izraelit janë të përfshirë në përpjekjet për ndërtimin e një arme bërthamore iraniane.
“Ky operacion do të zgjasë për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar kërcënimin,” shtoi ai.
Pas fjalimit, autoritetet izraelite shpallën gjendje emergjente, ndërsa Irani reagoi menjëherë duke lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje.