Një student adoleshent i taekwondosë dhe një pjesëtar i Federatës Iraniane të Taekwondosë u vranë në sulmet ajrore izraelite ndaj Iranit, raportuan mediat iraniane të shtunën, duke cituar Federatën përkatëse.
Federata identifikoi dy viktimat si Amir Ali Amini, një “student i ri i taekwondosë”, i cili humbi jetën së bashku me Hojatoleslam Ahmadpour, imamin e federatës, sipas Shoqatës së Taekwondosë së Provincës Fars.
Vdekja e tyre i shtohet viktimave civile nga sulmet izraelite, ku përfshihen edhe 20 fëmijë mes 60 personave të vrarë, pasi një sulm ajror goditi Kompleksin Shahid Chamran Nobonyad në verilindje të Teheranit.
Forcat izraelite nisën të premten operacionin “Rising Lion”, duke synuar objektet bërthamore dhe vendet ushtarake iraniane. Gjatë sulmeve u raportua se u vranë edhe gjashtë zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë.
Në kundërpërgjigje, Irani ndërmori operacionin “Premtimi i Vërtetë 3”, duke lëshuar qindra raketa balistike drejt objektivave ushtarake izraelite.
Sulmet izraelite vijuan edhe të shtunën në mëngjes, duke goditur aeroportin Mehrabad të Teheranit dhe disa qytete të tjera në të gjithë Iranin. Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit deklaroi se sulmet do të vazhdojnë “derisa regjimi kriminal sionist të pendohet” për veprimet e tij.