Konflikti Izrael-Iran/ Macron ‘zbulon’ se Trump ka gati marrëveshjen! Presidenti i SHBA e përgënjeshtron: Ai s’ja ka idenë, diçka më e madhe po vjen

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua me nxitim nga Samiti i G7-ës dhe është kthyer në Uashington.
Presidenti francez Emmanuel Macron pretendoi se presidenti i SHBA-së ishte kthyer në Uashington për të punuar për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit, por Trump nuk humbi kohë dhe “sulmoi” presidentin francez.
Donald Trump ka mohuar se është larguar herët nga samiti i liderëve të G7 në Kanada për të punuar për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit, në një postim në rrjetet sociale, ndërsa tha se Macron ‘kërkon vëmendje’.
Trump tha se presidenti francez “nuk ia ka idenë” pse ai po kthehej në Uashington dhe se arsyeja ishte “shumë më e madhe” sesa një armëpushim.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkont publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një “armëpushim” midis Izraelit dhe Iranit. Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Shumë më tepër se kaq. Qoftë me qëllim apo pa qëllim, Emmanueli gjithmonë gabon!“-thuhet në reagimin e Trump.
Liderët e vendeve më të fuqishme të botës, në samitin e G7, kanë deklaruar se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet” dhe se “siguria e tij ka mbështetjen tonë të plotë”. Në të njëjtën deklaratë, Irani u cilësua si “burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe terrorit në rajon”.
Kjo deklaratë vjen pas sulmit të papritur të Izraelit ndaj Iranit të premten, i cili ndodhi ndërsa Uashingtoni dhe Teherani ishin në bisedime për çështjen bërthamore. Sipas autoriteteve iraniane, mbi 200 persona janë vrarë nga këto sulme, shumica civilë dhe shumë prej tyre fëmijë. Nga ana tjetër, Irani ka kryer sulme hakmarrëse, duke vrarë 24 civilë në Izrael, sipas burimeve izraelite.