Ndizet botërori i klubeve, Bayern kalon i pari, Dortmund dhe Inter presin

Bayern Munchen është skuadra e parë që siguroi matematikisht kalimin për ne fazën tjetër të botërorit të klubeve. Kampionët e Gjermanisë mposhtën 2-1 Boca Juniors në një ndeshje shumë të bukur e me shumë raste.

Harry Kane shënoi golin e parë të sfidës, në minutën e 18, duke i dhënë qetësinë bavarezëve, ndërkohë që argjentinasit reaguan vetëm pak pasi ishte mbushur gjysëm ore lojë, duke barazuar me Miguel Merentiel. Gjithsesi, në të 84-ën, gjermanët shënuan dhe golin e dytë, me Olise që i dha triumfin e radhës Bayernit.

Fitore të rëndësishme në grupin C mori dhe Benfica që shënoi 6 gola në portën e modestëve të Auckland City.

" "

Gjithsesi, në këtë sfidë skuadra nga Zelanda e Re rezistoi deri në shtesën e pjesës së parë, kur Di Maria realizoi me 11-metërsh golin e avantazhit. Më pas në të dytën gjërat u bënë më të thjeshta me realizimet e Pavlidis, Sanchez dhe dy herë Barreiros.

Ne fund, shifrat u kristalizuan përsëri nga Di Maria, që edhe në shtesën e pjesës së dytë u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shënuar të gjashtin për portugezët, e të dytin personal në këtë sfidë. Me katër pikë, Benfica mban vendin e dytë pas Bayern dhe kualifikimi do të vendoset në ndeshjet e treta.

Fitoren e dytë në këtë botëror e shijoi dhe skuadra e Flamengos që mundi me përmbysje Chelsea-n duke prekur gjithashtu kualifikimin për më tej. Edhe pse blutë e Londrës kaluan të parët në avantazh me golin e Pedro Netos, brazilianët shëmuan tre herë me anë të Bruno Henrique, Danilo e Wallace Yan.

Duhet thënë që nga minuta e 68-Chelsea luajti me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Nicolas Jackson. Triumf të rëndësishëm ndërkohë mori dhe skuadra e Esperance Tunis, që fitoi minimalisht ndaj Los Angeles. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Belaili në pjesën e dytë, ndërsa ne limitet e ndeshjes amerikanet shpërdoruan një 11-metërsh. Tunizianët do ta diskutojnë kualifikimin me Chelsea-n në takimin e fundit të grupeve.

Pasditen e kësaj të shtune do të jetë radha e Dortmund dhe Inter për të zbritur në fushë. Në orën 18:00 verdhezinjët do të përballen me Mamelodi Sundowns, ndërkohë në orën 21:00 Inter do matë forcat me Urawa Reds.

Në mesnatë Fluminese do të ndeshet me Ulsan, ndërsa mëngjesin e së dielës, në orën 03:00 do të jetë sfida mes River Plate dhe Monterrey.