Barcelona po synon të përforcojë repartin ofensiv para fillimit të sezonit 2025-26 në gusht, dhe një nga objektivat e tyre është sulmuesi i Manchester United, Marcus Rashford.
Rashford ishte një objektiv kryesor për katalanasit gjatë afatit kalimtar të dimrit, por marrëveshja u konsiderua e pamundur për shkak të mungesës së hapësirës në pagat që kërkohet për regjistrim në La Liga. Megjithatë, interesimi për të nuk është shuar, edhe pse aktualisht, prioritet i parë për Barcelonën është spanjolli Nico Williams.
Rashford ka shtuar spekulimet për një kalim të mundshëm në “Camp Nou” përmes një interviste për XBuyer (përmes Diario AS), ku shprehu dëshirën për të luajtur krah Lamine Yamal.
“Lamine po luan në elitë në moshën 17-vjeçare. Nuk besoj që kemi parë diçka të tillë më parë. Është vështirë të përshkruash me fjalë atë që po bën, sepse ai nuk duhej të ishte në këtë nivel as në 16 apo 18 vjeç. Ajo që bën nuk është normale. Dhe do të përmirësohet edhe më shumë, prandaj nuk e dimë çfarë do të themi për të pas tre vjetësh. Mentaliteti që ka për ta bërë këtë dukuri të natyrshme është një tjetër nga aftësitë e tij.”