Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj projektligjit të ri për përfaqësim të drejtë, i cili u shfaq në disa media si një “balon prove”, me qëllim testimin e reagimeve të opinionit publik.

Në vend që të paraqesë një hap përpara drejt fuqizimit të parimit të përfaqësimit të drejtë – që do të përfshinte edhe përfaqësimin cilësor të komuniteteve në pozita të larta në administratë – ky projektligj i ri redukton edhe mekanizmat ekzistues që deri tani siguronin përfaqësim sasior të komuniteteve jo-shumicë.

Ky propozim nuk e mbron, por përkundrazi e minon parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë, duke hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe me ndryshimet kushtetuese që burojnë prej saj.

Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë propozim është se ai përputhet me premtimin parazgjedhor të VMR0-së dhe të koalicionit ZNAM, për të shfuqizuar mekanizmat ligjorë që kishin karakter detyrues dhe garantonin përfaqësimin e drejtë gjatë punësimeve në sektorin publik.

" "

Nuk na habit ky qëndrim, sepse menjëherë pas shfuqizimit të Balancuesit, ishim dëshmitarë të një numri të madh shpalljesh dhe punësimesh, ku ose punësoheshin vetëm maqedonas, ose përfaqësimi i komuniteteve tjera ishte minimal dhe simbolik.

Ajo që na habit dhe na indinjon është lehtësia me të cilën mbetjet e VLEN-it brenda qeverisë po lejojnë një përulje të tillë të pozitës së shqiptarëve në shtet – dhe bashkë me ta, edhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë.

Si parti politike, do t’i përdorim të gjitha mjetet dhe mekanizmat që na ofron ligji dhe demokracia dhe nuk do të lejojmë ligjërimin e dominimit monoetnik dhe të një mazhorizimi të ligjëruar përmes institucioneve.

I bëjmë thirrje të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve që të na bashkohen në hapat e mëtejshëm – në debatin publik, në ndërhyrjet përmes amendamenteve, dhe në sigurimin e shumicës së Badenterit – me qëllim të ndalimit të një ligji të rrezikshëm që, në mënyrë të fshehtë, tenton të minojë një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues multietnik të këtij shteti.