Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e rreziqeve globale që burojnë nga zhvillimi dhe përhapja e armatimit bërthamor. Siguria ndërkombëtare nuk ndërtohet mbi kërcënimin bërthamor, por mbi bashkëpunimin, paqen dhe respektin për vlerat universale të lirisë dhe demokracisë.

Aleanca për Shqiptarët përkrah fuqishëm qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj programit bërthamor të Iranit, si dhe ndaj çdo përpjekjeje për të minuar paqen globale përmes fuqisë shkatërruese.

SHBA-të mbeten aleati ynë më i rëndësishëm, partneri strategjik dhe miku ynë i pazëvendësueshëm. Ne jemi thellësisht të përkushtuar në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të orientimit euroatlantik të vendit tonë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.

Në kohë sfidash të mëdha, qëndrimi ynë duhet të jetë i palëkundur: më pak armë bërthamore, më shumë diplomaci; më pak kërcënime, më shumë besim në paqe.