Ministria palestineze e Arsimit njoftoi se 16.802 nxënës palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 26.000 të tjerë janë plagosur në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës të pushtuar që nga lufta gjenocidale që Izraeli nisi më 7 tetor 2023, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e ndarë në llogarinë Facebook të ministrisë, jepet informacion mbi numrin e nxënësve dhe personelit arsimor që janë vrarë, janë plagosur dhe janë ndaluar në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.

“Numri i nxënësve parauniversitarë që u vranë në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës ka arritur në 15.553 ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 23.411”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se 103 nxënës janë vrarë në Bregun Perëndimor, 691 janë plagosur dhe 361 nxënës janë arrestuar.

Deklarata, përfshin edhe numrin e studentëve të universitetit të vrarë në sulmet e Izraelit dhe bën të ditur se 1.111 studentë janë vrarë në Rripin e Gazës, 2.317 janë plagosur dhe shumë studentë u arrestuan ndërsa në Bregun Perëndimor janë vrarë 35 studentë, më shumë se 219 janë plagosur dhe 399 janë arrestuar.

" "

Gjithashtu theksohet se në sulmet izraelite, janë plagosur gjithsej 25.728 nxënës në Rripin e Gazës dhe të paktën 910 nxënës në Bregun Perëndimor.

Në shkollat parauniversitare në Gaza u vranë 701 persona nga personeli arsimor, 3.015 janë plagosur dhe në shkollat në Bregun Perëndimor u vranë 4 anëtarë të personelit arsimor, janë plagosur 21 të tjerë dhe 182 prej tyre janë arrestuar. Theksohet se në universitetet në Gaza janë vrarë 221 anëtarë të stafit arsimor dhe janë plagosur 1.416 të tjerë. Në Bregun Perëndimor janë arrestuar 17 pjesëtarë të stafit arsimor.

Të paktën 926 anëtarë të personelit arsimor, përfshirë 705 në shkollat parauniversitare, u vranë në sulmet izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe një total prej 4.452 anëtarë të personelit arsimor u plagosën.

Lidhur me sulmet ndaj institucioneve arsimore, deklarata thekson se më shumë se 118 shkolla shtetërore u shkatërruan në Rripin e Gazës, 252 shkolla u dëmtuan rëndë, 91 shkolla u bombarduan dhe u shkatërruan, më shumë se 60 ndërtesa universitare u shkatërruan plotësisht dhe 93 shkolla që i përkisnin Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) u bombarduan.

Deklarata e ministrisë thotë se 152 shkolla në Bregun Perëndimor u shkatërruan dhe 8 universitete u bastisën nga forcat izraelite. Nxënësit në Rripin e Gazës nuk kanë mundur të hynin për herë të dytë në provimet e shkollës së mesme, të cilat filluan të shtunën, më 21 qershor, për nxënësit palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin dhe në 37 vende të botës.

Sipas të dhënave zyrtare palestineze, ushtria izraelite dhe izraelitët që uzurpojnë tokat palestineze intensifikuan sulmet e tyre në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor paralelisht me gjenocidin në Gaza dhe të paktën 981 palestinezë u vranë dhe rreth 7.000 të tjerë u plagosën në sulme.

– Sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit, pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 56.077 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 131.848.

Që nga 27 maji, numri i njerëzve të vrarë në sulme sistematike që synojnë palestinezët në zonat e shpërndarjes të krijuara nën maskën e ndihmës humanitare nga “Fondacioni Humanitar i Ndihmës në Gaza” i udhëhequr nga Izraeli dhe SHBA-të është rritur në 516 ndërsa numri i të plagosurve në 3.799.

Ushtria izraelite ka filluar zbatimin e një plani sulmi që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka njoftuar se do të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës.

Izraeli, i cili nisi sulme gjithëpërfshirëse ndaj Iranit më 13 qershor, vazhdoi sulmet e tij ndaj Rripit të Gazës ndërsa vëmendja e botës ishte diku tjetër.