Izraeli thotë se ka vrarë 14 shkencëtarë bërthamorë iranianë, ekspertët mendojnë se vendi ka mjaftueshëm kuadro për të vazhduar punën e tyre

Izraeli ka deklaruar se ka vrarë të paktën 14 shkencëtarë bërthamorë iranianë gjatë luftës 12-ditore, në atë që përshkruhet si sulmi më i madh ndonjëherë ndaj trurit të programit bërthamor iranian. Megjithatë, ekspertët thonë se kjo do të shkaktojë vetëm vonesa, jo shkatërrim të programit.
“Pas këtyre vrasjeve, për Iranin do të jetë pothuajse e pamundur të krijojë armë bërthamore nga infrastruktura dhe materialet që i kanë mbetur. Fakti që e gjithë grupi është eliminuar e kthen programin disa vite mbrapa,” deklaroi ambasadori izraelit në Francë, Joshua Zarka.
Por analistë të mirëinformuar theksojnë se Irani ka shkencëtarë të tjerë që mund të zëvendësojnë të vrarët.
Sipas Zarka-s, në sulmet izraelite janë vrarë të paktën 14 fizikanë dhe inxhinierë bërthamorë, udhëheqës të shkencës iraniane që “kishin gjithçka në kokat e tyre”. Nëntë prej tyre janë vrarë në valën e parë të sulmeve më 13 qershor, ndërsa një tjetër u vra dje, pak para fillimit të armëpushimit.
Ekspertët thonë se dekada pune në energjinë bërthamore dhe, sipas forcave perëndimore, në zhvillimin e armëve bërthamore, i kanë dhënë Iranit rezerva njohurish dhe shkencëtarë që mund ta vazhdojnë punën.
“Do të mbeten planet dhe gjenerata tjetër e shkencëtarëve do të mund ta vazhdojë. Bombardimi i objekteve bërthamore apo vrasja e njerëzve do ta kthejë mbrapa për një periudhë, por do të rikonstruktohet,” tha Mark Fitzpatrick, ish-diplomat amerikan dhe tani analist në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
Sa shpejt do të mund të vazhdojë puna bërthamore, do të varet pjesërisht nga fakti nëse sulmet izraelite dhe amerikane kanë shkatërruar rezervat e uraniumit të pasuruar dhe pajisjet e nevojshme.
“Elementi kyç është materiali. Nëse e ke materialin, pjesa tjetër është relativisht e njohur. Vrasja e shkencëtarëve ndoshta kishte për qëllim t’i trembte njerëzit që të mos punonin në këto programe,” tha analisti zviceran Pavel Podvig.
E drejta ndërkombëtare humanitare ndalon vrasjen e qëllimshme të civilëve dhe personave të tjerë që nuk janë ushtarakë. Por ekspertët juridikë theksojnë se këto kufizime mund të mos vlejnë për shkencëtarët bërthamorë nëse ata kanë qenë pjesë e forcave të armatosura iraniane ose kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.