Murtezani dhe rektori i IBU-së, prof. dr. Sunar, nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim në kontekst të integrimeve evropiane

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot realizoi takim me rektorin e Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit, prof. dr. Lutfi Sunar, gjatë të cilit u nënshkrua Memorandum për mirëkuptim me qëllim të përforcimit institucional të bashkëpunimit në kontekst të proceseve integruese evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takimin me profesorët e këtij Universiteti, ministri Murtezani theksoi se ky lloj partneriteti institucional është me rëndësi thelbësore për zbatimin e suksesshëm të agjendës reformuese evropiane, duke mundësuar integrimin e njohurive akademike në politikat publike dhe duke krijuar bazë të fortë për implementimin efikas të standardeve dhe vlerave evropiane në shoqërinë tonë.
Me këtë Memorandum, Ministria për Çështje Evropiane dhe Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit vendosin kornizë të qartë dhe afatgjate për bashkëpunim në fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në veprimtarinë akademike, arsimore dhe hulumtuese lidhur me eurointegrimet.
Dokumenti parasheh zhvillimin e iniciativave të përbashkëta të cilat do të sigurojnë mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve të nëpunësve shtetërorë dhe studentëve, si dhe organizimin e përbashkët të seminareve, konferencave dhe punëtorive dedikuar temave kyçe evropiane, shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave më të mira në fushat e procesit të aderimit, analizë të politikave publike dhe harmonizimit juridik me BE-në. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe projekteve të përbashkëta hulumtuese, përgatitjes së studimeve dhe botimeve, si dhe zhvillimit të programeve akademike të specializuara në kuadër të studimeve evropiane dhe të drejtës evropiane.