Kancelari gjerman Friedrich Mertz deklaroi se synon ta bëjë Gjermaninë përsëri forcën lëvizëse të Bashkimit Evropian, si dhe se dëshiron të japë një “kontribut personal për të siguruar që Evropa të ecë me sukses në vitet e ardhshme”.

Në pjesëmarrjen e tij të parë në samitin e BE-së në Bruksel që nga marrja e detyrës në maj, Mertz deklaroi gjithashtu se dëshiron të shohë një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes tregtare të Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Tageschau.

“Unë gjithashtu mbështes Komisionin Evropian në të gjitha përpjekjet e tij për të arritur shpejt një marrëveshje tregtare me SHBA-në”, tha Mertz.

Afati i fundit i vendosur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për negociatat mbi tarifat me BE-në skadon më 9 korrik dhe Mertz akuzoi Komisionin Evropian se negociatat janë “shumë të komplikuara”.

Lidhur me veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, Mertz hodhi poshtë masat ndëshkuese kundër vendit ose pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit të BE-së me Izraelin, të cilën disa vende e kanë kërkuar.

Kjo pasoi publikimin e një raporti auditimi të BE-së, i cili deklaroi se veprimet e Izraelit në zonën bregdetare shkelin parimet e vendosura të bashkëpunimit të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.

Në një deklaratë të përbashkët, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u bënë thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme të ushtrojnë përmbajtje dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar.