Në Itali vijojnë hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar, Rivaldo Rusi, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri gjatë një tentative grabitjeje në zonën e Cilentos. Ngjarja ndodhi disa ditë më parë, ku pronari i banesës, biznesmeni italian 58-vjeçar, Aurelio Valiante, pranoi para autoriteteve përgjegjësinë për sulmin.

Sipas deklarimeve të Valiante, ai qëlloi disa herë drejt personave që tentuan të hynin në vilën e tij, duke plagosur edhe një person tjetër, i cili ndodhet në spitalin e Napolit në gjendje të rëndë. Nga të shtënat, mbeti i vrarë vetëm Rivaldo Rusi.

Biznesmeni rrëfeu se më pas fshehu trupin e viktimës, duke e vendosur në një fuçi vere, të cilën më pas e ngarkoi në makinë dhe e transportoi disa kilometra larg për ta varrosur.

Mediat italiane bëjnë me dije se Valiante po hetohet për akuzat e vrasjes dhe fshehjes së trupit të viktimës. Deri tani nuk është urdhëruar asnjë masë paraprake ndaj tij.

Për arsye sigurie, biznesmeni së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët janë transferuar në një vend të mbrojtur. Në orët në vijim, ai mund të shoqërohet jashtë rajonit me vendim të autoriteteve.

Valiante është marrë në pyetje për më shumë se njëmbëdhjetë orë nga prokurori publik i Vallos, Francesco Rotondo. I shoqëruar nga avokati i tij, Antonello Natale, ai ka bashkëpunuar me hetuesit duke rrëfyer detajet e ngjarjes që ndodhi natën midis të dielës dhe të hënës, kur tentativa e grabitjes në vilën e tij u kthye në një tragjedi.