Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ka ftuar në takim krerët e partive të përfaqësuara në Kuvend, për të shtunën pasdite. Takimi i thirrur nga Kurti do të mbahet nga ora 16:00. Përfaqësuesit e partive politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (sot) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkroi dje Kurti.
Për këtë takim e kanë konfirmuar pjesëmarrjen partitë shqiptare në Kuvend, PDK, LDK, AAK e Nisma.
Nga PDK do të shkojë kreu i partisë, Memli Krasniqi.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në deklarimin për media që pati dje pas seancës.
“Kryetari jonë, z. Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda, duke shtuar se i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes nuk është kompromis politik.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konfirmoi pjesëmarrjen e partisë së saj, por nuk tregoi nëse do të jetë kryetari Lumir Abdixhiku apo ndonjë tjetër nga partia.
Konfirmimin ajo e bëri krahas një ankese për Kurtin, i cili dje e injoroi takimin e thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ku ishin liderët e tjerë të partive.
Nga AAK s’do të shkojë kryetari Ramush Haradinaj, por deputetja Time Kadrijaj, siç ka konfirmuar dje zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili.
Sidoqoftë, Haradinaj këtë ftesë të Kurtit e quajti “të palogjikshme” të ndodhte për sot meqë është dashur të ndodhte dje para seancës, e cila ishte e para pasi Gjykata Kushtetuese dha fjalën e saj.
Po ashtu, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do të shkojë vetë në takim, të cilin e pa si pjesë të ‘vizionit’ të tij.
Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim.
“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh tutje Limaj.