Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi Avni Dehari, shpjegoi se ata qëndruan në sallë për të shprehur qëndrimin e tyre. Ai theksoi se kjo ishte një fillim i diskutimeve parlamentare pas asaj që ai e quajti “uzurpim antikushtetues”, të cilin ai e ngarkoi mbi Lëvizjen Vetëvendosje.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, shtoi se kjo ishte hera e 41-të që partia fituese nuk arriti të marrë përgjegjësinë kushtetuese për formimin e shumicës parlamentare.

Postimi i plotë:

Sot, qëndruam në sallë.

Deputetja Bajrami mbajti dhe fjalë.

Kjo fjalë s’mund t’i ndalej siç ju ndal deputetit Zogaj.

Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim.
Sot, ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrinë të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës. Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional.

E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z.Konjufca – kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake. Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend.

Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë.

Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin.

Ne le të flasim. Para shumicës qytetare në vend. T’i shtrojmë të gjitha çështjet që pas perdeve të krizave po marrin peng të ardhmen e vendit.

MARKETING