Nuk do të kemi një përballje mes vëllezërve Bellingham në çerekfinalen e Botërorit për Klube. Jobe Bellingham i Borussia Dortmundit nuk do të mund të përballet me vëllanë e tij të madh, Jude Bellingham të Real Madridit, pasi është pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.

Gjatë ndeshjes kundër Monterrey-t, mesfushori i ri anglez u ndëshkua me karton të verdhë nga arbitri argjentinas Facundo Tello, duke grumbulluar kështu dy kartonë në turne, pasi ishte ndëshkuar më parë edhe në fazën e grupeve kundër Ulsan. Ky ndëshkim automatikisht e përjashton atë nga ndeshja e radhës.

Në momentin e ndëshkimit, Jobe reagoi i zhgënjyer, duke ngritur sytë drejt qiellit.

“Është shumë zhgënjyese për të, por edhe për të gjithë ne. Ishte një histori e bukur që donim ta shkruanim, ai mezi e priste sfidën kundër vëllait të tij,” u shpreh Sebastian Kehl, drejtor sportiv i Dortmundit. “Tani duhet ta ngushëllojmë pak.”

Ndeshja e shumëpritur mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit do të zhvillohet të shtunën, por, për fat të keq, pa “derbin familjar” që shumë adhurues prisnin me padurim.