Burimet palestineze theksojnë se Hamasi ka prirje që të pranojë propozimin e ri për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, por se ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar, raporton Anadolu.
Burimet të cilat nuk dëshirojnë të identifikohen, në një deklaratë për gazetarin e AA-së janë shprehur se Egjipti dhe Katari si dhe SHBA-ja, kanë dhënë “garanci të gjera” në lidhje me propozimin e ri për armëpushim.
Burimet palestineze, kanë tërhequr vëmendjen për faktin se edhe Turqia mund të jetë në mesin e garantuesve të marrëveshjes së armëpushimit dhe thanë se “Sigurisht, diskutimet mbi disa çështje teknike janë ende duke vazhduar”.
Duke transmetuar se çështjet teknike në fjalë përfshijnë mekanizmat për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës dhe hartat e tërheqjes, burimet bënë të ditur se diskutimet janë duke vazhduar në lidhje me rregullimet që do të bëhen pas periudhës 60-ditore të armëpushimit, se çfarë të bëhet nëse kjo periudhë nuk është e mjaftueshme për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare si dhe detaje të tjera.
Burimet raportuan se Hamasi ka prirje që të pranojë propozimin e ri në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, por ende nuk ka marrë vendim përfundimtar. Ndër të tjera burimet informuan se Hamasi vazhdon konsultimet me grupet e tjera palestineze përpara se të japë përgjigjen e tij zyrtare dhe pritet të japë përgjigje brenda një maksimumi prej 2 ditësh.
– Trump: Izraeli ka pranuar kushtet për armëpushim të përkohshëm në Gaza
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Izraeli ka pranuar kushtet e nevojshme për armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës.
Ai theksoi se përfaqësuesit e SHBA-së patën takim “të gjatë dhe produktiv” me zyrtarët izraelitë. “Izraeli ka pranuar kushtet e nevojshme për përfundimin e armëpushimit 60-ditor. Gjatë kësaj periudhe, ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, tha Trump.
Hamasi njoftoi se po shqyrton propozimin nga ndërmjetësit për një armëpushim me Izraelin.