Ekuador- Një tjetër goditje për mafian shqiptare në Ekuador. Pas kapjes së bosit të drogës shqiptare Dritan Gjika në Emiratet e Bashkuara Arabe, Policia dhe Ushtria sekuestruan tre ton kokainë në një fermë në Chongón, një famulli e Guayaquil, më 3 korrik 2025.
Sipas policisë droga ishte fshehur në një fermë bagëtish, e cila besohet të jetë një nga kompanitë fasadë të përdorura nga mafia shqiptare në vend.
Droga u gjet në pako drejtkëndëshe dhe në një kamion të ngarkuar me banane gjatë një operacioni të kryer herët në mëngjes të enjten.

“U identifikua një pronë që vepronte nën maskën e një ferme bagëtish. Brenda ishte një kamion që përmbante kuti me banane dhe u gjet substanca e bardhë”, tha koloneli Víctor Hugo Ordóñez.
Pas bastisjes së pronës, u arrestuan pesë persona, të cilët besohet se janë pjesë e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare. Kamioni, që mbante banane dhe drogë, u dërgua në stacionin e policisë në Guayaquil për t’u ekzaminuar.
Në vitin 2024, gjatë çështjes Pampa, u zbulua mënyra e veprimit të mafias shqiptare në Ekuador, përfshirë përfshirjen e kompanive eksportuese të bananeve.
Zakonisht, dërgesat e drogës të kontrolluara nga trafikanti i drogës Dritan Gjika nga Emiratet e Bashkuara Arabe dërgoheshin jashtë vendit nëpërmjet njërit prej porteve të Guayaquil, me destinacion Evropën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume