Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para
të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë.

Gazeta Sinjali mëson se viktima është një 27 vjeçar, i cili rreth orës 00:00, në rrugën “Haradin Bajrami”, ishte parë nën ndikim të alkoolit duke dalë në shiritin rrugor dhe duke sulmuar vetura dhe kalimtarë të rastit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilat kanë vendosur situatën nën kontroll, ndërsa në lokacion ka arritur edhe emergjenca mjekësore. Megjithatë, mjekët kanë konstatuar se 27-vjeçari kishte ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë: Hetuesit policorë, Njësitë relevante, dhe Prokurori i krimeve të rënda, i cili ka urdhëruar që të kryhen veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë kontrollin e kamerave të sigurisë që mbulojnë zonën.

Lidhur me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar i cili ka deklaruar se ishte sulmuar nga viktima para se ky i fundit të ndërronte jetë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen – Trup i pajetë”, ndërsa trupi i të ndjerit është dërguar në IML për obduksion.

Hetimet janë në vazhdim.