Plagoset me çifte 44-vjeçari në Konispol, dyshohet se po tentonte të grabiste një banesë, ja çfarë deklaroi ai në polici

Një 44-vjeçar është plagosur me armë zjarri në orët e para të së hënës në fshatin Markat, bashkia Konispol.
Burime nga policia bëjnë me dije se Saimir Haxhi, banor i fshatit, ka mbetur i plagosur në shpinë, dyshohet nga një armë gjahu (çifte).
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 44-vjeçari ka tentuar të vjedhë në një banesë të zonës, ku mund të jetë qëlluar nga pronari ose persona të tjerë të pranishëm.
Saimir Haxhi, me precedentë penalë, është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas është dërguar në spitalin e Vlorës për trajtim më të specializuar.
Nga ana tjetër ai ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht në këmbë nga një gjuetar i paidentifikuar, në zonën ndërmjet fshatrave Shalës–Vagalat, Bashkia Konispol.
“Më datë 07.07.2025, rreth orës 03:45, është paraqitur në spitalin e Sarandës shtetasi S. H., 44 vjeç, banues në fshatin Markat, i dyshuar i dëmtuar me armë gjahu në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht në këmbë nga një gjuetar i paidentifikuar, në zonën ndërmjet fshatrave Shalës–Vagalat, Bashkia Konispol.
Nga verifikimet 44-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe për verifikimin e deklarimeve të dhëna nga ky shtetas”, sipas policisë.