“Jemi duke përgatitur një strategji nacionale për përmirësimin e trajtimit të pacientëve me diabet dhe sëmundje onkologjike. Duhet të krijojmë një sistem që do të ndjekë dhe përcaktojë sëmundjet, me qëllim që të ofrojë terapinë e nevojshme dhe afatgjate në kohë. Jemi duke punuar në mënyrë aktive edhe për zgjerimin e listës pozitive dhe për përditësimin e listës së çmimeve”, theksoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, në emisionin debatues “24 Analiza”.

Ai njoftoi se në seancën e sotme qeveritare pritet të miratohet informacioni për shpërndarjen e terapisë onkologjike në Spitalin Klinik të Manastirit, së bashku me spitalet klinike në Shtip dhe Tetovë, dhe GOB “8 shtator“. Për këtë qëllim, tashmë është përcaktuar edhe një protokoll i veçantë për aplikimin e terapisë.

“Shëndetësia është një sistem kompleks me shumë karakteristika dhe përmes një qasjeje sistematike, punojmë në krijimin e një metodologjie të re për financim dhe buxhetim, me qëllim që të vendosim themele për një sistem më funksional të sistemit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, bëjmë krahasimin e gjendjes në vendin tonë e në vendet fqinje, si dhe bashkë me kolegët nga rajoni, shqyrtojmë mundësitë ligjore dhe përgatisim një plan për të hapur së bashku një procedurë për furnizimin me terapi inovative për pacientët onkologjikë”, theksoi ministri Aliu.