Pas një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe thellësisht konsultativ me organizatat e
shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sot në Qeveri u
miratua dokumenti strategjik që do të udhëheqë politikat shtetërore për forcimin e sektorit civil
në katër vitet e ardhshme.
Strategjia 2025–2028 fokusohet në dy fusha prioritare: krijimin e një mjedisi të favorshëm për
funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile, si dhe forcimin e partneritetit ndërmjet
organizatave qytetare dhe institucioneve publike.
Ky dokument është rezultat i angazhimit të përbashkët dhe dialogut të hapur – duke filluar nga
thirrja publike në nëntor 2024, grupi punues i përbashkët me organizatat qytetare, konsultimet
përmes platformës ENER, dëgjimet publike me mbështetjen e Qendrës për Resurse Qytetare,
deri te integrimi i rekomandimeve dhe komenteve të dhëna nga komuniteti i gjerë qytetar dhe
institucionet. Vlerësimi pozitiv i dhënë nga Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe
Shoqërisë Civile konfirmon cilësinë dhe përkushtimin që qëndron pas këtij dokumenti.
Vizioni ynë është i qartë: të ndërtojmë një sektor civil gjithëpërfshirës, të pavarur dhe
profesional, që vepron si partner strategjik i institucioneve në krijimin dhe zbatimin e politikave
publike.
Tani nis zbatimi i Strategjisë dhe i Planit të Veprimit, me një theks të veçantë në ndërtimin e
mekanizmave efektivë për monitorim dhe vlerësim, përmes përgatitjes së pasaportave të
indikatorëve në bashkëpunim të ngushtë me organizatat qytetare.
Kjo strategji nuk është vetëm një dokument formal – është një angazhim konkret për të forcuar
rolin e shoqërisë civile në jetën demokratike të vendit tonë.
Së bashku ndërtojmë institucione më të përgjegjshme, politika më të drejta dhe një demokraci
më të qëndrueshme.