Me pranga në duar, një 27-vjeçar vdiq në Lipjan, i rrethuar nga disa policë. Në lidhje me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë. Raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.
Gazeta Insajderi ka siguruar një video ekskluzive, ku shihet se zyrtarët policorë i hidhnin ujë Zejnullahut për ta këndellur.
Më pas në vendngjarje erdhi autoambulanca dhe e vendosën në lese Agon Zejnullahun. Ai ishte nën pranga tërë kohën.
Alban Zejnullahu, ka treguar se vëllai i tij Agon Zejnullahu, kishte shenja të mëdha në trup.
Sipas tij kishte 20 shenja duke pretenduar se mund të kishte edhe gjymtyrë të thyera.
“Ka pasur mbi 20 shenja në trup. Vetulla ka qenë e çarë, balli me shenja dhe ka pasur goditje në qafë. Ka shenja shumë të theksune në bri sa mendoj se i ka të thynë, këmbët i ka pasur me gunga. Nuk ka ndonjë pjesë të trupit që nuk ka pasë goditje”, tha ai në një prononcim për Insajderin.
Alban Zejnullahu tha se zyrtarët policor që u arrestuan dje, ishin edhe në emergjencë kur familjarë kanë shkuar atje pasi kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.
Ai tha se policët i njeh personalisht dhe nuk i shprehen ngushëllime
“Policet e arrestun i kemi pa ne emergence kur kemi shku. Shumicën prej tyne I njoh personalisht ama atë nate mbajshin distancë, as per me m’shpreh ngushëllime nuk jane afru. Përveç njanit”, tha ai.
Te pesë zyrtarët policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë.