Të martën në mëngjes, qyteti i Splitit u përball me një stuhi të fuqishme që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa një nga objektet më të prekura ishte stadiumi legjendar “Poljud”.
Gjiganti kroat, Hajduk Split ka konfirmuar se situata është e rëndë.
Era e fortë rrëzoi qindra fletë të mëdha të çatisë së stadiumit të ndërtuar nga materiali Lexan, ndërsa dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në hyrjen perëndimore, ku një pjesë e madhe e fasadës është thyer.
“Një dëmtim i madh është regjistruar në zonën mes tribunës jugore dhe asaj perëndimore. Po presim që moti të stabilizohet për të angazhuar ekspertë që do të vlerësojnë dëmet në detaje. Situata është serioze,” deklaroi Bozho Pavkovic, zëdhënës i Hajdukut, për tportal.hr.
Përveç dëmeve të jashtme, stuhia ka shkaktuar probleme edhe në ambientet e brendshme të stadiumit. Fusha e stadiumit, e rinovuar kohët e fundit, është dëmtuar plotësisht.
Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në disa pjesë të objektit, ndërsa disa zyra janë përmbytur. Po ashtu, është raportuar edhe dëmtim në sallën e brendshme sportive.
Si pasojë e kësaj situate, Hajduku ka anuluar konferencën për shtyp që ishte planifikuar për prezantimin e lojtarit të ri Fran Karacic, e cila duhej të mbahej në orën 12:00 në ambientet e stadiumit “Poljud”.
Autoritetet lokale dhe drejtuesit e klubit janë duke punuar për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikuperim sa më të shpejtë të infrastrukturës.