Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali.

Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit – kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën.

Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën, shkruan Tch.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e të martës, rreth orës 16:32 në liqenin e Shkodrës.

Kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, Arben Alamani 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur.

Turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, dhe vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas kësaj ka reaguar Bashkia e Shkodrës duke thënë se humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar “kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës”.

“Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur. Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës. Bashkia Shkodër shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Alamani në këtë moment të vështirë”, thuhet në deklaratë.