Barcelona pritet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e Ferran Torres, i cili është bërë objektiv për Aston Villën.
Klubi anglez, i drejtuar nga Unai Emery, ka dërguar një ofertë prej 50 milionë eurosh për sulmuesin spanjoll, duke parë tek ai përforcimin ideal për repartin ofensivë.
Torres ka qenë një dëshirë e hershme e trajnerit spanjoll, i cili vlerëson shkathtësinë dhe balancën që ai sjell në fushë. Kjo është përpjekja më serioze e Aston Villës pas disa ofertave të paplotësuara verën e kaluar.
Në atë kohë, Barcelona nuk pranoi propozimet që nuk kalonin 20 milionë euro, shumë larg investimit fillestar prej mbi 50 milionë që kishte bërë për ta marrë nga Manchester City.
Këtë sezon, Ferran ka pasur një rikthim të fortë nën drejtimin e Hansi Flick. Ai shkëlqeu në mungesë të Robert Lewandowskit dhe u kthye në një nga lojtarët më të besueshëm të skuadrës.
Megjithatë, interesimi i Barcelonës për emra si Luis Diaz dhe Marcus Rashford mund ta rrezikojë vendin e tij në formacionin titullar. Kjo situatë ka hapur diskutime për një largim të mundshëm.
Monchi, drejtori sportiv i Aston Villës, është gati të ndërmarrë hapin vendimtar për ta afruar Torresin dhe për t’i dhënë trajnerit Emery lojtarin që ai ka kërkuar prej kohësh.