Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një deklaratë për media, ka njoftuar se ditëve në vijim do të prezantohet një platformë gjithëpërfshirëse për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se kjo nuk është një nismë partiake, por një ftesë për bashkim kombëtar, duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve që ndihen përgjegjës për të ardhmen politike, ekonomike dhe shoqërore të kombit.
Taravari bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve politike dhe bashkimin e energjive për një vizion të përbashkët, duke paraqitur shtyllat kryesore të platformës që përfshijnë:
• Identitet & Traditë – Mbrojtja e gjuhës, kulturës dhe vlerave kombëtare
• Ekonomia për Shqiptarët – Lehtësime për bizneset, mbështetje për bujqësinë dhe iniciativën private
• Arsimi & Rinia – Rritja e cilësisë, krijimi i mundësive dhe formimi i një elite të re kombëtare
• Familja & Politikat Sociale – Mbështetje për familjet dhe shtresat në nevojë
• Shëndetësia me qasje të lehtësuar – Reforma dhe investime konkrete në komunat shqiptare
• Zhvillimi Rajonal & Diaspora – Politika për rikthimin dhe përfshirjen e diasporës në zhvillim
• Bashkëpunimi Ndërkombëtar – Partneritet i qëndrueshëm me SHBA, BE dhe aleatët strategjikë
“Kjo nuk është një platformë për qëllime personale, por një platformë për t’u bashkuar,” tha Taravari, duke i ftuar të gjithë shqiptarët të bëhen pjesë aktive e kësaj nisme që synon një të ardhme më të drejtë, më dinjitoze dhe më të sigurt për komunitetin shqiptar në vend.