Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish sot mblidhen në përpjekjen e 45-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të, pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Partitë parlamentare nuk po arrrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.
Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Afati i fundit është 22 korriku.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me ngërçin e krijuar tash e sa muaj.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar të mërkurën për Gazetën Online Reporteri.net se Presidentja po mendon të kërkojë sqarim nga Kushtetuesja për pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30 ditor, të përcaktuar në Aktgjykim.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr.KO 124/25*, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra brenda 30 ditësh)”, ka deklaruar Kupina.
Në adresë të Kushtetuteses janë dërguar edhe dy kërkesa javën e kaluar, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit./Reporteri.net/