Legjenda kroat, Luka Modriç, i ka dhënë fund karrierës së tij të lavdishme me Real Madridin, pas 13 viteve të jashtëzakonshme në klubin më të madh në histori. Legjenda kroate zhvilloi ndeshjen e fundit me fanellën e bardhë në humbjen 4-0 ndaj PSG-së, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, një përballje që shënoi mbylljen e një epoke.
Pas ndeshjes, Modriç foli për Real Madrid TV, ku nuk i fshehu emocionet: “Ka qenë një udhëtim i gjatë, por i paharrueshëm. Kjo është shtëpia ime, Madridi është shtëpia ime e dytë. Do të më duhet kohë për të kuptuar se çfarë kam arritur këtu. Real Madridi më dha gjithçka. Do të jem mirënjohës për gjithë jetën time. Do të jem madrilist përgjithmonë”.
Në 597 ndeshje të zhvilluara, Modriç ka fituar 28 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve, duke u bërë kështu lojtari më i dekoruar në historinë e Real Madridit. Ai e theksoi me krenari këtë arritje. “Të jesh lojtari me më shumë tituj në klubin më të mirë në historinë e futbollit është diçka e pabesueshme”, nënvizoi ai. Mirënjohja ndaj tifozëve nuk mungoi as në fjalët e tij të fundit si lojtar i ‘Los Blancos’.
“Dashuria e tifozëve është në kulmin e saj,” u shpreh ai, duke veçuar gjithashtu momentin më të dashur në karrierë, triumfin në Ligën e Kampionëve në vitin 2014. “Dinastia jonë filloi atje,” tha Modriç, duke iu referuar ‘La Decimas’. Kapiteni 39-vjeçar e mbylli mesazhin e tij me fjalë që mishërojnë filozofinë e klubit. “Mënyra se si fituam, është ajo që është Real Madridi. Lufto deri në fund, mos u dorëzo kurrë”, përfundoi legjenda kroate.