Më shumë se 508 mijë afganë janë dëbuar nga Republika Islamike e Iranit në vetëm 16 ditët e fundit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (ONM), në atë që përshkruhet si një nga lëvizjet më të mëdha të popullsisë në dhjetë vitet e fundit, raporton CNN.

Sipas të dhënave të OKB-së, dëbimet janë intensifikuar që nga përfundimi i konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit, me rreth 508,426 afganë që kanë kaluar kufirin iraniano-afgan midis 24 qershorit dhe 9 korrikut.

Teherani kishte paralajmëruar prej muajsh se do të ndërmarrë masa për largimin e miliona afganëve që jetojnë pa dokumentacion të rregullt në Iran, shumica e të cilëve punojnë në sektorë me paga të ulëta dhe shpesh në kushte të rënda pune.

Sipas raportimeve, ky intensifikim i dëbimeve lidhet edhe me pretendimet e pabazuara nga autoritetet iraniane, të cilat akuzuan disa afganë për spiunim në favor të Izraelit gjatë dhe para konfliktit. Megjithatë, mungesa e provave ka shtyrë shumë kritikë të vlerësojnë se Irani po shfrytëzon situatën për të zbatuar politikën e tij të dëbimeve masive, duke kanalizuar edhe pakënaqësitë e brendshme drejt një grupi të pambrojtur.

Ndërkohë, kushtet në terren janë tejet të rënda, pasi temperaturat në zonat kufitare kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, duke vështirësuar ndjeshëm kthimin dhe sistemimin e refugjatëve në vendin e tyre.