Fitim Bozhegu është personi që nxori nga deti një grua dhe një vajzë që po mbyteshin në Vlorë.
Ai tregon për Euronews Albania se një grua thërriti për ndihmë dhe ai menjëherë u fut në det për t’i shpëtuar këto persona, për të cilët kjo grua kërkoi ndihmë.
“Erdhi një grua dhe më tha: Ndihmë se po mbyten dy fëmijë.’ Unë u futa në det dhe i nxorra deri në breg sa mundesha. Njëra ishte në moshë të madhe, tjetra fëmijë. Ambulanca mbërriti pas 30 minutash, ne u dhamë ndihmë me frymëmarrje dhe goditje në gjoks. Ishin thellë në det dhe mezi i kapa. Kur i nxorrëm ishin në gjendje të rëndë. Unë isha vetëm, me vështirësi i nxorra dhe i ndihmuam,” tha Bozhegu.
“Sapo mbërrita aty, konstatoj një grua të madhe në moshë dhe një vajzë, dhe me shumë vështirësi arrita t’i nxirrja në gjendje të rëndë në breg të detit. Njëra ishte rreth 50 vjeçe, tjetra rreth 19 vjeçe. Pritëm për 30 minuta ambulancën dhe u munduan t’u bënin frymëmarrje dhe ndihmë të çastit. Në bregdet, pasi i nxora gjendja e tyre ishte shumë e rëndë. Ishin të huaja dhe një burrë i erdhi për t’i ndihmuar, sepse ishte vështirë t’i nxirrja vetëm”.Njëra ishte me shenja jete, tjetra jo shumë. Kam katër herë që shpëtoj njerëz, kam shpëtuar një grua greke dhe një fëmijë në një plazh tjetër. Jam 49 vjeç,” përfundoi ai.
Nga informacionet e fundit dhe paraprake që vijnë nga Spitali i Vlorës, nënë e bijë janë të intubuara. Vajzës i është rikthyer pulsi, ndërsa gjendja e nënës paraqitet më e rëndë. Nga burime të pakonfirmuara thuhet se ato janë shtetase nga Ukraina.
Një grua tjetër dëshmitare tha se ishin tre vajza që ikën shumë larg dhe dukeshin si të huaja.
“Policia erdhi shpejt, por ambulanca u vonua pak. Pas rreth 10 minutash, i nxorën. Kishte edhe një vajzë të vogël që kërkoi ndihmë dhe iu dha ndihmë shumë shpejt me frymëmarrje. “Unë vetëm lutesha,” përfundoi ajo.