SHKODËR– Mes dhimbjesh dhe mirënjohjes, këtë të premte iu dha lamtumira e fundit kapitenit hero Arben Anamali.

Në ceremoninë mortore, familjarë, miq, qytetarë të shumtë e përfaqësues të bashkisë së Shkodrës nderuan jetën e një njeriu që u shqua për humanizëm, guxim e përkushtim. Bashkëshortja e dëshmorit të atdheut në një prononcim për mediat tha se sa njeri I jashtëzakonshëm ishte kapiteni, që edhe jelekun e tij të shpëtimit, ua dha turistëve.

Edhe nipi i tij, Mirsad Isufi, shprehu dhimbjen dhe krenarinë për figurën e Arbenit në këtë ditë të rëndë për familjen. Në homazhe ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë Shkodër, ndërsa Presidenti i Republikës dërgoi një letër ngushëllimi për familjen Anamali, duke vlerësuar lart aktin e tij fisnik.

Arben Anamali, 51 vjeç, humbi jetën më 8 korrik pasi u hodh në ujë për të shpëtuar pesë turistë izraelitë që rrezikonin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Ai arriti t’i shpëtojë ata, por nuk u kthye më në anijen që drejtonte me pasion e përkushtim.

Ai përcillet në banesën e fundit, por mbetet përjetësisht në kujtesën e një qyteti të tërë si simbol i humanizmit./