Kriptovaluta më e madhe Bitcoin ka mbërritur vlera rekorde të premten dhe tregjet kanë shpërthyer në prag të javës që mund të jetë historike për industrinë e kriptovalutave.

Duke nisur nga 14 korriku, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan do të diskutojë për tri projektligje të mëdha për kriptovalutat që pritet t’ia ofrojnë industrisë kornizën e rregullatorit në SHBA, që është kërkuar tash e sa kohë.

Ligjvënësit amerikanë do t’i diskutojnë tri ligjet në kuadër të asaj që po quhet “java e kriptovalutave”. Tashmë në opinion është rritur besimi se lidhjet e industrisë me Washingtonin janë qetësuar dhe përderisa dikur sektorit i kërcënohej ekzistenca, tani po shkohet drejt një ambienti më miqësor.

Qartësia ligjore mund të nxisë shumë kompani ta pranojnë bitcoinin nëpër buxhetet e tyre, sipas analistëve të njohur të tregjeve. E kjo pritet t’i hapë industrisë portë të re.

Investitorët, në pritje të lajmeve pozitive, tashmë kanë rritur investimet. Këto kanë çuar në shifra rekorde. Bitcoini të premten ka tejkaluar shifrën prej 118 mijë dollarëve. Arsye pos “javës historike” janë edhe dobësimi i dollarit dhe përkrahja që administrata Trump ka shprehur publikisht për kriptovalutat.