Një rast aspak i zakontë ka ndodhur në Likovë të Maqedonisë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Disa shkelës të rregullave, duke refuzuar t’iu binden urdhrave të policëve pasi u kapën duke transportuar dru pa vula, kanë kërcyer nga dritarja ndërkaq automjetin e kanë lënë të lëvizë drejt policëve.

“Më 11.07.2025, rreth orës 12:40, gjatë një patrullimi me motor në fshatin Likovë, Komuna e Likovës, nëpunës policorë nga Departamenti për Çështje Kufitare dhe Migracion kanë vërejtur një automjet transportues “Iveco” të ngarkuar me dru zjarri pa vulë identifikuese. Pas dhënies së shenjës për ndalim, shoferi nuk i është bindur urdhrave dhe është larguar me shpejtësi. Më pas, ai dhe pasagjeri i tij kanë kërcyer nga automjeti dhe e kanë lënë të lëvizë pa kontroll drejt nëpunësve policorë. Automjeti ka dalë nga rruga dhe personat janë larguar nga vendngjarja. Drutë dhe automjeti janë sekuestruar, dhe po ndërmerren masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB-ja.