Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria i ka përfunduar tekstet e Kodit Penal dhe të Ligjit për Procedurën Penale dhe se deri në fund të muajit ato do t’i dërgohen Komisionit Evropian për mendim.
“Ky është një proces që zgjat prej shumë kohësh, mendoj se që nga viti 2019. Kjo Qeveri më në fund arriti t’i përmbyllë këto dy ligje. Unë dje pata takim me ministrin e Drejtësisë, një zëvendësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtarë të kabinetit, përfaqësues të LSDM-së, si dhe anëtarë të grupit të punës. Të hënën ata do të mbajnë takim, në të cilin do të bëjnë “harmonizimin përfundimtar” të gjithçkaje që diskutuam dje. Nga Ministria e Çështjeve Evropiane na informuan se tekstet janë përkthyer. Do të korrigjohen ato pjesë që do të pësojnë ndryshime të hënën dhe pres që deri në fund të këtij muaji t’ia dërgojmë Komisionit Evropian për mendim dhe më pas të presim vlerësimin e tij”, deklaroi Mickoski, i cili mori pjesë në hapjen e një shkolle të re në Gazi Babë.
Ai tha se ligjet janë hartuar në përputhje me rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Evropian. Shprehu keqardhje që qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, siç u shpreh, në përpjekje për të siguruar amnisti politike në fund të mandatit të saj, nën petkun e flamurit evropian, “ndërhyri në sistemin gjyqësore dhe e ndryshoi Kodin Penal, duke fshirë nene”.
“Fatkeqësisht, tani duart i kemi të lidhura dhe ata nuk mund të dalin para drejtësisë aq lehtë, ndonëse të gjithë e dimë se si nga njerëz pa para u bënë milionerë dhe kjo përbën një tjetër zhgënjim të pakëndshëm për qytetarët”, tha Mickoski.