Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fokusi”, duke goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit të zhvilluar në urën e Babrroit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan një automjet me dy persona. Gjatë kontrollit në automjet, në derën e pasagjerit u gjet një pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se mbahej pa leje nga shtetasi E. M., 31 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan arma e zjarrit, automjeti si dhe dy celularë.

Gjithashtu, u procedua penalisht drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Të dy shtetasit janë banues në Tiranë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore. Policia njofton se operacione të tilla do të vijojnë me intensitet për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e sigurisë në kryeqytet.