Kevin De Bruyne ka zhvilluar seancën e tij të parë stërvitore si lojtar i Napolit dhe një detaj i veçantë ka tërhequr vëmendjen. Në veshjen e tij stërvitore, mesfushori belg mbante numrin 10, simbolin më të shenjtë të historisë napolitane – atë që dikur e vishte Diego Armando Maradona.

Një thjesht rastësi, një vendim i përkohshëm apo një sinjal i një vendimi të madh? Pyetja ka ndezur rrjetet sociale dhe tifozët, transmeton KosovaPress.

Në videot dhe fotografitë e shpërndara nga kanalet zyrtare të klubit, De Bruyne shihet duke stërvitur me numrin 10 të stampuar në pantallonat e shkurtra dhe në fanellën e stërvitjes. Ky detaj, ndonëse nuk është tregues i numrit zyrtar që do të mbajë në ndeshje, ka ngjallur emocione të mëdha mes tifozëve, për shkak të lidhjes së ngushtë që ky numër ka me figurën e Maradonës.

Duhet kujtuar se numri 10 është tërhequr zyrtarisht nga Napoli në nder të legjendës argjentinase dhe, në parim, nuk duhet të vishet nga asnjë lojtar tjetër. Megjithatë, pamja e De Bruyne me këtë numër ngre pikëpyetje rreth një përjashtimi të mundshëm apo të një gjesti simbolik.

Sipas gazetarit Matteo Moretto, De Bruyne pritet të mbajë numrin 11 në sezonin e tij debutues në Serie A. Klubi ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht zgjedhjen e numrit për kampionin belg.

Në pritje të prezantimit zyrtar dhe konfirmimit të numrit të fanellës, një gjë është e sigurt, mbërritja e De Bruyne në Napoli ka ndezur entuziazmin dhe ka hapur një faqe të re për klubin jugor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume