Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka aplikuar në Librin e Rekordeve Guinness për ta dokumentuar si rekord botëror situatën e paprecedentë politike në Kosovë, dështimin 48 herë radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Koci e cilësoi këtë ngërç institucional si “turp” dhe “absurd demokratik”.

Ai theksoi se një rast i tillë nuk ka ndodhur askund tjetër në botë.

“48 herë rresht ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po, dyzet e tetë tentime – dhe ende pa Kuvend funksional. Turp, turp, turp!”, shkruan ai.

Koci shton se edhe në vendet me krizë të thellë institucionale, përçarje etnike apo sektare, nuk janë shënuar raste të ngjashme, duke vënë në pah absurditetin e situatës në Kosovë.

“Sipas meje, kjo nuk ka ndodhur askund në botë – as në vendet me krizë të thellë institucionale. Madje, as në shtetet me përçarje etnike, sektare apo politike. Vetëm te ne – në një shtet që vetëquhet demokratik”, ka shkruar Koci.

Ai paralajmëroi vazhdimin e protestës së tij para Kuvendit të Kosovës, të cilën e quan pjesë e “protestës qytetare për rend demokratik”.

“Të hënën do ta vazhdoj protestën para Kuvendit. Natyrisht, do të jetë protestë interesante”, përfundon Koci, duke shtuar se nëse aplikimi pranohet, “të paktën ta dimë që jemi të parët në botë për diçka – për një rekord turpi!”.