“Forca e Re Kombëtare”, është subjekti më i ri politik i formuar në Kosovë nga Ferid Agani.

Përmes një komunikate për media, ata kanë njoftuar se më 14 dhe 17 Korrik, u mbajt mbledhja konstitutive e Këshillit Organizativ të nismës politike konservatore “Forca e Re Kombëtare”, si hap i rëndësishëm drejt themelimit të subjektit të ri politik që synon të sjellë frymë të re të përfaqësimit qytetar, identitar, moral dhe kombëtar në skenën politike të Kosovës.

“Mbledhja u zhvillua në atmosferë serioze dhe përbashkuese, ku morën pjesë themeluesit e nismës, personalitete me përvojë në jetën publike, akademike dhe politike, si dhe përfaqësues nga qytetarë të interesuar për një alternativë politike me vlera të qarta etike, kulturore dhe shtetformuese”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata po ashtu kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes kanë marrë disa vendime:

• U aprovua Rregullorja e Punës së Këshillit Organizativ;
• U zgjodh kryetari i Këshillit Organizativ dhe u konstituuan strukturat drejtuese;
• U emërua përfaqësuesi ligjor për paraqitje në KQZ dhe përfaqësim institucional;
• U vendos për themelimin e grupeve të punës që do të hartojnë dokumentet themelore: Statutin, Programin Politik dhe Platformën Ideologjike të subjektit të ri, Platformës së Komunikimit Publik dhe Strategjisë Zgjedhore, si dhe Rregulloreve të Brendshme Organizative përfshirë rregulloren e kuvendit themelues.
• U miratua Deklarata Politike e Mbështetjes, që afirmon vlerat themelore mbi të cilat do të ngrihet subjekti i ri: familja, tradita, morali, identiteti kombëtar dhe liria individuale në kuadër të rendit kushtetues demokratik.

“Këshilli Organizativ u dakordua që procesi i themelimit të subjektit të ri politik të mbështetet në parimin e bashkimit të Partisë së Drejtësisë me Grupin Politik të Intelektualeve “Integriteti”, duke e shkrirë trashëgiminë 25-vjeçare me vizionin e ri, në frymën e parimit të barazisë së plotë ndërmjet dy partnerëve politikë”, kanë bërë të ditur ata.

Tutje, thuhet se me këtë akt themelues, “Forca e Re Kombëtare” hyn në një fazë të re të organizimit të saj, me synimin për të ndërtuar një subjekt të përgjegjshëm, të hapur dhe të angazhuar për të mirën e përbashkët të qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/