Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë deklaroi të premten se forcat qeveritare nuk janë duke u përgatitur të dislokohen në provincën Sweida, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.
Noureddin al-Baba mohoi një raport të agjencisë së lajmeve Reuters, i cili citonte një zyrtar mediatik të Ministrisë së Brendshme që pretendonte se forcat e sigurisë po përgatiteshin të ktheheshin në qytetin me shumicë druze të Sweidës, për të ndalur përplasjet mes fiseve beduine dhe komunitetit druz – një pakicë fetare në Siri, Liban dhe Izrael.
Të premten, një armëpushim i brishtë po vazhdon në jug të Sirisë, pasi një marrëveshje për ndaljen e luftimeve e shpallur të mërkurën kishte ndërprerë përkohësisht përleshjet që kishin shpërthyer disa ditë më parë midis luftëtarëve beduinë dhe atyre druzë në provincën jugore të Sweidës, duke nxitur qeverinë siriane të dërgonte trupa në zonë.
Në përplasje u përfshi edhe Izraeli, zyrtarë të të cilit deklaruan se nuk do të lejonin që qeveria islamiste në krye të Sirisë të dislokonte trupa në jug. Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj trupave siriane në Sweida dhe ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë, madje edhe pranë pallatit presidencial në Damask.
Pas shpalljes së armëpushimit të mërkurën, trupat siriane u tërhoqën nga Sweida, por përplasjet rifilluan sërish të enjten vonë, ndërmjet luftëtarëve beduinë dhe atyre druzë.
Ushtria izraelite ndërmori sulme të reja gjatë natës së kaluar në provincën Sweida.
Duke përshkruar sunduesit e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar, Izraeli është zotuar të mbrojë komunitetin druz në zonë nga sulmet.
Mosbesimi i thellë i Izraelit ndaj udhëheqjes së re islamiste të Sirisë po bie ndesh me qëndrimin e SHBA-së, e cila ka njoftuar se nuk mbështet sulmet e fundit izraelite në Siri.
SHBA-ja ndërhyri për të ndihmuar në arritjen e armëpushimit të mëparshëm ndërmjet forcave qeveritare dhe luftëtarëve druzë, dhe Shtëpia e Bardhë deklaroi të enjten se ai dukej se po funksiononte.
Udhëheqësi sirian Ahmed al-Sharaa, i cili ka punuar për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në, akuzoi Izraelin se po përpiqet të përçajë Sirinë dhe premtoi se do të mbrojë komunitetin druz në vend.